Policia ka arrestuar 55 persona dhe ka proceduar penalisht 98 të tjerë pas akteve të dhunës dhe dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestës së 14 tetorit në kryeqytet.

Gjithashtu gjatë përplasjeve janë dëmtuar 51 punonjës policie, ndërsa janë goditur institucione shtetërore, banka, biznese dhe automjete.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë gjatë tubimit të zhvilluar më datë 14.10.2026, përpara Ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit dhe më pas në zona të tjera, dhjetëra pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, pllaka guri, sende të forta metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike. Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë dëmtuar godina të institucioneve shtetërore, banka, institucione financiare dhe biznese të ndryshme. Më pas, protestuesit janë zhvendosur në akse të ndryshme rrugore të kryeqytetit, përfshirë bulevardet “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe rrugën e Durrësit, duke vijuar aktet e dhunës dhe dëmtimet ndaj institucioneve shtetërore dhe subjekteve private. Gjithashtu, gjatë akteve të dhunës janë dëmtuar fasada xhami, bankomate, kamera, semaforë, sinjalistika dhe kangjella rrethuese të pronës publike dhe private. Gjatë tubimit, disa prej protestuesve kanë hyrë në rrethimin e godinës së Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë goditur me sende të forta dhe lëndë piroteknike, duke dëmtuar xhamat e fasadës së godinës dhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë djegur me lëndë djegëse një automjet të Policisë dhe kanë dëmtuar me sende të forta tre automjete të parkuara. Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar në shërbim janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovi nga grupe pjesëmarrësish të maskuar. Si pasojë, janë dëmtuar 51 punonjës policie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds