Platforma për verifikimin e fakteve “Hibrid”, pohon se që nga fillimi i fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, çdo javë regjistron rreth dhjetë lajme me përmbajtje të pasaktë që lidhen me këtë fushatë.

Festim Rizanaj nga kjo platformë pohon se burimet e këtyre përmbajtjeve janë edhe të brendshme por dominojnë të huajat që vijnë kryesisht nga Serbia dhe Rusia.

Drejtori i Institutit për studime të luftës hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se e drejta për zgjedhje të lira si shtyllë e demokracisë tani është më e kërcënuar se kurrë nga ndërhyrjet gjithnjë e më komplekse e të sofistikuara të autokracive.

Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi të organizuar nga ky institut mbi ndërhyrjet e huaja në zgjedhje dhe ndikimin e tyre në sigurinë dhe demokracinë e vendit.

Pjesëmarrësit në këtë debat thanë se në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, në një periudhë zhvillimesh të ndërlikuara gjeopolitike, Kosova duhet të angazhohet më shumë në hartimin e strategjive për tu përballur me ndikimin e jashtëm por edhe të fushatave ndërgjegjësuese për dezinformimin.

“Ndikimi i huaj në rajonin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet dezinformimit, përfitimeve ekonomike dhe mbështetjes për rrjetet anti perëndimore, mëton të destabilizojë vendet si Kosova si dhe të pengoj aspiratat e tyre euroatlantike. Në rastin e Kosovës këto sfida shpërfaqen në formën e fushatave dezinformuese, trysnisë gjeopolitike, pikat e cenueshme infrastrukturore siç janë sulmet në infrastrukturën kritike të vendit si ai i fundit në Zubin Potok, i cili dëshmon për nevojën për masa të shtuara të mbrojtjes”.

Pjesëmarrësit vlerësuan se ndër hapat e nevojshëm për të parandaluar këto dukuri është edhe futja e lëndës së edukimit medial në shkollimin parauniversitar si dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor për trajtimin e sfidave të përbashkëta që sjell dezinformimi dhe ndikimi i huaj keqdashës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds