Qeveria pritet të kalojë në mbledhjen e javës së ardhshme shkrirjen e bordit të karburanteve, pas vendimit të gjykatës kushtetuese që thotë se bordi e ka përmbushur misionin e vet.
Burime të ndyshme pohojnë se drafti është përmbyllur dhe po kalon konsultimet e brendshme nëpër ministritë e linjës që përfshihen drejtpërdrejt, ose tërthorazi me të.
Qeveria thotë se nga përllogaritjet e saj të luhatjes së çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare dhe tregun vendas, bordi mbrojti qytetarët nga rritja e shfrenuar e tyre.
Por, nga opozita dhe një pjesë e qytetarëve, bordi është kritikuar se ka vendosur çmime tavan më të larta nga çmimet e bursës ndërkombëtare.
Bordi është kritikuar se ka reflektuar me shpejtësi çmimet kur karburantet rriteshin në bursat e huaja, por nuk ka vepruar me të njëjtën shpejtësi për të reflektuar uljen e tyre.
Qeveria ngriti një vit më parë dy borde për përcaktimin e çmimeve në treg, atë të karburanteve dhe atë të ushqimeve. Partia Demokratike përmes dy kërkesave iu drejtua Kushtetueses për t’i rrëzuar.
Kushtetuesja rrëzoi bordin e ushqimeve, ndërsa atë të karburanteve ja la në dorë vetë qeverisë.
Sot 1 litër naftë kushton 179 lekë ndërsa benzina 178 lekë/litri.