U prezantuan sot masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e një sezoni turistik të sigurt, me fokus forcimin e prezencës policore në zonat turistike, monitorimin me teknologji dhe rritjen e kapaciteteve të Njësisë Policore Detare.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar në Durrës, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari theksoi se zhvillimi i turizmit sjell jo vetëm mundësi ekonomike, por edhe përgjegjësi të reja për garantimin e sigurisë së vizitorëve dhe qytetarëve.

“Kur një turist zgjedh Shqipërinë, ai nuk zgjedh vetëm një plazh, një mal apo një qytet historik. Ai zgjedh një shtet që e pret me dinjitet që në Pikën Kufitare dhe e mbron me profesionalizëm”, u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se siguria është një element kyç i imazhit të vendit.

Ministri vlerësoi angazhimin e Policisë së Shtetit gjatë sezonit veror, duke e cilësuar këtë periudhë si një nga sfidat më të mëdha vjetore për shërbimet publike.

“Një vend i sigurt nuk ndërtohet me fjalë, por me shumë punë e përkushtim dhe me njerëz që zgjohen të parët dhe flenë të fundit. E kam fjalën për Policinë e Shtetit, e cila ka barrën kryesore në këto muaj me fluks të lartë udhëtarësh dhe grumbullimesh në zonat turistike”, tha ai.

Duke u ndalur te siguria në hapësirën detare, Lamallari theksoi rolin e Njësisë Policore Detare, e cila është kthyer në një strukturë të rëndësishme për parandalimin e incidenteve në plazhe dhe garantimin e respektimit të rregullave të lundrimit.

“Kjo strukturë moderne, e ngritur për herë të parë në vitin 2023, sot është kthyer në një nga garancitë më të forta të sigurisë në hapësirën detare të vendit, nga Velipoja deri në Ksamil, nga brigjet e Adriatikut deri në ujërat e Jonit”, deklaroi ministri.

Sipas tij, gjatë vitit 2025, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare u kanë ardhur në ndihmë 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese në vështirësi në det, ndërsa janë kontrolluar mbi 5 600 mjete lundruese dhe janë ndëshkuar shkeljet që rrezikonin sigurinë e pushuesve.

Për sezonin veror 2026, Policia e Shtetit do të rrisë praninë operative në vijën bregdetare, përmes mjeteve të specializuara, teknologjisë dhe monitorimit të vazhdueshëm.

“35 motorë uji, personel i trajnuar, patrullime intensive në të gjithë vijën bregdetare dhe monitorim nga ajri me dronë do të jenë në funksion të sigurisë së pushuesve”, tha Lamallari.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Policia Kufitare do të përdorë teknologji të reja dhe lidhjen direkte me sistemin TIMS për të lehtësuar procedurat për jahtet, velierat dhe mjetet e tjera lundruese që vizitojnë Shqipërinë.

“Policia Kufitare është shpesh fytyra e parë e shtetit shqiptar për miliona vizitorë që hyjnë në vendin tonë. Krahas garantimit të sigurisë kufitare, misioni i saj është të ofrojë një shërbim profesional, korrekt dhe dinjitoz për çdo qytetar shqiptar dhe të huaj”, u shpreh ministri.

Në përfundim, Lamallari falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit, Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për angazhimin e tyre dhe nënvizoi objektivin për një sezon turistik me standarde sa më të larta sigurie.

“Le të punojmë së bashku që sezoni turistik 2026 të jetë sezoni më i sigurt që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, që çdo vizitor të largohet me kujtime të bukura dhe Shqipëria të vazhdojë të jetë një histori suksesi që frymëzon dhe tërheq botën”, përfundoi Lamallari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds