Kryeqyteti shqiptar ka parë një mbrëmje jo të qetë në orët e vona të së enjtes, fill pas ndeshjes Dinamo 1-1 Jagiellonia, e vlefshme për play-off e Conference League.

Polakët, në një numër të konsiderueshëm në udhëtimin në Tiranë, kanë nisur provokimet që pasditen e djeshme, me të mbërritur në kryeqytetin tonë. Në pamjet e shpërndara në rrjet, ata shihen të bëjnë gjeste të pahijshme në bustin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në qendër të Tiranës.

Pas ndeshjes, një grup me tifozët e Dinamos duket se është ‘hakmarrë’. Në video duket qartë se shqiptarët janë përleshur me njërin prej polakëve që bënte gjeste të pahijshme.

Një numër i madh i forcave të policisë ka ndërhyrë, duke qetësuar situatën. Paçka se tifozët nga Polonia u nisën me autobusa në stadium fill pas ndeshjes dhe u shoqëruan nga policia, incidentet nuk munguan as rrugës për në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas.

Shqiptarët ishin në rrugë dhe sulmuan me flakadanë autobusët që mbanin tifozët e Jagiellonias. Gjithçka lidhet me thirrjet e tyre ‘vritini shqiptarët’, apo edhe me banerin që shpeshherë shpalosin në stadium ‘Kosova është Serbi’.

Kulmi ishte përdhosja e heroit tonë kombëtar në zemër të Tiranës, me incidentet që nuk munguan në orët e vona të së enjtes.

ARRESTOHEN VETEM SHQIPTARET

Ndërkaq policia me një njoftim për shtyp thotë se ka arrestuar 3 tifozë shqiptarë dhe dy të tjerë po i heton në gjendje të lirë.

Ndërkaq, ajo që bie në sy është fakti se policia nuk është në gjendje të identifikojë dhe arrestojë asnjërin prej huliganëve polakë që përdhosën në mes të ditës bustin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në mes të Tiranës.

NJOFTIMI I POLICISË

“Penguan qarkullimin e automjeteve dhe gjuajtën me sende të forta 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli, identifikohen 5 shtetas. Vihen në pranga 3 prej tyre, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 32 vjeç, K. S., 29 vjeç dhe Sh. S., 30 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur 17 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pas mesnate, në aksin rrugor “Qafë Kashar – Rinas”, kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë gjuajtur me sende të forta, 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli.

Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, të kryera në bashkëpunim”.

Dhe sa për kronikë, Dinamo u eliminua nga Conference League.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *