Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në orën 10:00 filluan homazhet në nderim të artistes së madhe Margarita Xhepa e cila u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 91-vjeçare. Homazhet vazhduan deri në orën 13:00 siç kishte njoftuar Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kolegë, familjarë, figura të njohura të fushave të ndryshme dhe qytetarë shprehën respektin dhe mirënjohjen për kontributin që ikona e kinematografisë shqiptare ka dhënë në artin dhe kulturën shqiptare.
Djali i saj, aktori Ndriçim Xhepa tregon ditët e fundit të nënës së tij.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, që mori pjesë në homazhet për aktoren Margarita Xhepa, e vlerëson të jashtëzakonshëm kontributin që ajo dha në artin dhe kulturën shqiptare. Personazh që do mbetet e gjallë në memorien e artit dhe kulturës shqiptare.
Pas homazheve zonja e madhe e e teatrit dhe kinematografisë Margarita Xhepa është përcjellë për në banesën e fundit me lule dhe duartrokitje, nën tingujt e marshit funebër të luajtur nga banda e qytetit.