Së fundmi PD bëri kërkesë në Kuvend për ngritjen e një Komisionit Hetimor për Portin e Durrësit, nëpërmjet të cilës kërkohet verifikimi i ligjshmërisë.
Përgjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së,kryedemokrati u shpreh se ndërtimi i këtij porti është akti më i madh i korrupsionit.
Kreu i PD-së, Sali Berisha shtoi se aty do të ndërtohen pasuritë e grupeve kriminale të Dubait.
“Beteja për komisionin hetimor të Portit të Durrësit është e një rëndësie jashtëzakonisht të madh. Ky kuadër, këto vendime për Portin e Durrësit përbëjnë aktin më madhor të korrupsionit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe Evropë. Vështirë shumë të gjesh një aferë multi miliard, siç është kjo, ku toka dhe uji mund të kushtojë mbi 2 miliard, ku ndërtimet 12 600 apartamente me hotele me 6 yje etj,. të gjitha pasuri e grupeve kriminale të Dubait, me të cilat siç dëshmoi gazetari investigativ, Artan Hoxha, Edi Rama ka bërë takim të veçantë gjatë vizitës së tij në Dubai, me temë investimet e tyre në Durrës. Vetëm Franc Çopja, thuhet e ka transferuar në bankat e Evropës 3 miliardë euro, e them këtë shifër për të kuptuar sesa e pakufishme është paraja e tyre” u shpreh Berisha
