Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, zhvilloi sot një konferencë për shtyp.
Ai denoncoi një video të shitblerjes së votës, ndërsa ishte i shoqëruar nga demokrati, autori i videos.
Paloka tha se pas publikimit të videos, demokrati Lulzim Memaçi është kërcënuar.
“Dy burra i kanë shkuar në vendin e punës dhe e kanë paralajmëruar duke i thënë “Ca i kë bërë vetes””, rrëfeu Paloka për demokratin, i cili ka qenë dhe komisioner në zgjedhjet e 11 majit.
“O beqo! Sa morën! 380… hallall. 500 mijë 3 vota bravo. Beqo!”, dëgjohet të thuhet në video.
“Nuk jam këtu për të denoncuar blerjen e votave, si kjo video që gjeni me qindra e me mijëra në rrjetet sociale, jo thjesht si kjo video e bërë në mënyrë të fshehtë pa dijeninë e atij që po tregonte krimin elektoral, ka dhe video ku i keni parë shprehjen madje dhe oferta për votën qytetarëve shqiptarë.
Nuk jam këtu për këtë gjë, jam këtu për të bërë një tjetër denoncim. Autori i kësaj videoje është Lulzim Memashi, që është këtu me mua, anëtar i PD prej vitesh, ka qenë komisioner së bashku me vajzën në zgjedhje, është familjar në gjendje të vështirë ekonomike, ka dhe një djalë të sëmurë dhe bashkëshortja e ka lënë disa muaj më parë dhe sot detyrohet me një makinë që e ka marrë jo me paratë e veta, të punojë taksi.
Pas daljes së kësaj videoje dje në vendin e punës i kanë shkuar dy persona që e kanë kërcënuar dhe fjalët kanë qenë: ‘Çfarë i ke bërë vetes me atë që ke nxjerrë, do e shohësh se çfarë do të bëjmë.’
Nuk më rrinë në mend që blejnë vullnetin e shqiptarëve, nuk mjaftohen me atë që kanë bërë për të mbajtur këtë pushtet, por kërkojnë të ju mbyllin gojën atyre që denoncojnë dhe sot jam këtu për ta denoncuar si rast dhe për ta marrë në mbrojtje publike Lulzimin.
Dua t’i them kujtdo që mendon se me këtë mandatin e katërt të Ramës mund të bëjë çfarë do me demokratët, e ka gabim.
Rama mund të bëhet mbret, të blejë tren, të blejë shumicën e shqiptarëve, ta harrojë se mund të luajmë me demokratët.
Me pak apo shumë jemi ata që jemi, i kemi qëndruar përballë çdo dite, dhe po e paralajmëroj se mos ta çojë në mend se do hakmerret ndaj atyre që nuk pranuan të shiten apo tremben apo të kthehen në skllavëritë e këtij regjimi.
Lulzim Memashi është këtu, është demokrat, nuk është sot këtu se është trembur, por është këtu sepse e kërkova unë që ky fakt të bëhej publik, të tregojmë se nuk ju mjaftoi ajo që do bëhej, por tani kërkojnë të trembin ata që i dolën kundër, ju bëjnë presion dhe kërcënimi thjesht imagjinoni se çfarë kanë bërë me pra.
Ky është denoncimi që unë po e ndaj me ju sot, do kemi dhe raste të tjera që do i bëjmë publike“, tha Paloka.