Ndryshimet në pozicionet drejtuese të Bashkisë Lushnjë si pjesë e një riorganizimi që synon të sjellë më shumë efikasitet në administrimin lokal, po japin efektet e para pozitive.

Drejtori i ri Elson Zeka për televizionin tonë ka treguar sesi Ndërmarrja e Punëve Publike po organizon shërbimin e pastrimit të qytetit që përbën një nga elementët më të rëndësishëm në detyrimet që Bashkia ka ndaj qytetarëve të saj dhe qytetit.

Pas kronikave të vazhdueshme nga RTV 4Plus për papastërtinë që po bëhej fenomen i zakonshëm dhe me të cilën po jetonim çdo ditë, mbrëmë filloi aksioni për larjen dhe pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe sheshit përpara bashkisë me makinat e specializuara për pastrim.

Sot vazhdon puna për pastrimin dhe mbushjen me ujë të pastër të skulpturës, simbol i qytetit tonë  “Djali mbi Bullicë” që ishte mbuluar nga mbeturinat dhe papastërtia, gjithashtu u lanë edhe stolat e lulishtes dhe trotuaret të cilët ishin bërë pis nga zogjtë e shumtë që kanë ndërtuar foletë tek pemët e lulishtes. Sipas Zekës Ndërmarrja e Punëve Publike do të ndërtojë një program bashkëpunimi me Policinë Bashkiake për pastrimin e hapësirave publike dhe gjelbërimin në qytet.

Qytetarët jasht kamerave u shprehen të kënaqur për punën që po fillon për pastrimin e rrugëve, lulishtes dhe hapësirave të tjera publike dhe kërkuan masa më të rrepta ndaj ndotësve.

Ndërmarrja e Punëve Publike do të vazhdojë punën për pastrimin dhe gjelbërimin e lagjeve të tjera  në qytet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *