Policia e Vlorës ka arrestuar 3 persona të cilët kanosën me pistoletë një 35-vjeçar dhe tentuan ta nxirrnin me forcë nga automjeti i tij, duke e dhunuar.

Policia bën me dije se dje, pas marrjes së njoftimit për kanosjen dhe dhunimin e një shtetasi, në lagjen “Hajro Çakërri”, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

-Xh. I., 31 vjeç, K. H., 34 vjeç dhe M. Z., 20 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Nga hetimet e para dyshohet se këta shtetas kanë kanosur me pistoletë sportive, për motive të dobëta, shtetasin L. S., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhej brenda në automjetin e tij, në lagjen “Hajro Çakërri”, dhe më pas, kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga automjeti, duke e goditur me grushte dhe me tytën e pistoletës.

35-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit në automjetin në pronësi të babait të shtetasit K. H., shërbimet e Policisë gjetën të fshehur pistoletën sportive që dyshohet se është përdorur për kanosjen.

Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin ku u gjet dhe me automjetin të cilin dyshohet se janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds