Komisariati i Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, ka finalizuar një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtij operacioni janë proceduar penalisht 8 shtetas, përfshirë 5 të mitur, dhe është shpallur në kërkim një tjetër, për posedim dhe shitje të Cannabis Sativa. Po ashtu, janë sekuestruar disa doza të kësaj lënde.

Si rezultat i patrullimeve në të gjithë territorin e qarkut dhe punës së inteligjencës policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier konstatuan dhe goditën 2 raste të shitjes në doza, të lëndës narkotike Cannabis Sativa. Konkretisht:

-për rastin e parë nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. K., 24 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi E. S., 25 vjeç, pasi dyshohet se iu siguronin doza Cannabisi, 2 të miturve të moshave 15 dhe 17 vjeç, për t’i shitur në afërsi të shkollës së fshatit Krutje. Të miturit, nxënës në këtë shkollë, u proceduan në gjendje të lirë, ndërkaq po punohet për kapjen e 25-vjeçarit;

-për rastin e dytë nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Xh., 21 vjeç dhe L. M., 18 vjeç, si dhe për 3 të mitur të moshave 15 dhe 17 vjeç, pasi u kapën në flagrancë në një lokal në lagjen “Kongresi”, me doza Cannabisi me vete, të gatshme për shitje”, njofton policia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *