Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur zbatimin e sanksioneve kundër industrisë së naftës së Serbisë, NIS. Lajm jashtëzakonisht të keq e ka quajtur presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
NIS-i njoftoi në një komunikatë lidhur me sanksionet se “prioritetet, si më parë, mbeten furnizimi i rregullt i tregut vendas me produkte nafte, si dhe ruajtja e stabilitetit social të punonjësve”.
“NIS-i ka siguruar furnizime të mjaftueshme me naftë për përpunim në këtë kohë, ndërsa pompat e karburanteve furnizohen rregullisht me të gjitha llojet e produkteve të naftës”, thuhej në njoftim.
Shtetet e Bashkuara e vendosën NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, me qëllim të parandalimit të Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
“Që nga ora 6 e mëngjesit, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione, më saktë, kanë hyrë në fuqi sanksionet ndaj kompanisë NIS. Ky është një lajm i keq për vendin tonë”, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke theksuar “Pasojat do të jenë jashtëzakonisht të rënda për vendin tonë në aspektin politik, ekonomik, social dhe çdo aspekt tjetër”.
