Në Fakultetin e Gazetarisë së Universitetit të Tiranës u publikua sot projekti më i fundit i shoqërisë civile, financuar nga BE-ja dhe Këshilli i Europës, i cili synon të ndërtojë një dialog gjithëpërfshirës mes qeverisë, medias dhe organizatave jofitimprurëse të kësaj fushe.

Dekani i Fakultetit të Histori – Filologjisë, Mark Marku, tha që risia është se tani nismat nuk do të vijnë nga qeveria, por nga komuniteti i medias.

Ekspertët pohuan në tubim se media shqiptare përballet sot me sfidat më të mëdha qysh nga fillimi i pluralizmit, duke filluar nga përqëndrimi në pak duar të audiencës dhe të ardhurave, problemet që ndeshin gazetarët si kërcënimet, censura dhe vetëcensura, mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare në media, mundësia për hapësirë dhe kohë që të raportohet në mënyrë profesionale.

Përfaqësues të institucioneve europiane pohuan se e drejta për lirinë e shprehjes dhe informimit është një gur themeli i çdo shoqërie demokratike dhe Shqipëria si një shtet anëtar i Këshillit të Evropës, duhet të përmbushë garancitë ligjore për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve që punojnë në një mjedis mediatik të pavarur dhe pluralist.

Drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasador Silvio Gonzato, tha në tubim se disa tregues mbi gjendjen e medias janë në vazhdimësi negativë, të cilat vendi duhet t’i përmirësojë në procesin e negociatave.

“Nëse vendi nuk i trajton sfida të tilla që lidhen me çështjet si siguria e gazetarëve, aksesi në informacion, apo çështje thelbësore si pronësia e medias, Shqipëria nuk do të arrini të tejkalojë temat thelbësore të fushës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, tha ambadori. Gonzato.

Vetërregullimi i medias sipas standarteve ndërkombëtare është rruga më e mirë për një vend, ku mungon liria dhe ku qeveria nuk është dashamirëse ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, tha për zoti Likmeta i rrjetit BIRN.

Projekti shënon një përpjekje të re për të ndërtuar një dialog mes komunitetit të gazetarëve dhe qeverisë mbi lirinë e shprehjes dhe medias, mbi shkeljet e lirisë së shtypit dhe pasigurinë e gazetarëve, gazetarinë e pavarur, gjetjen e informacionit dhe mbi pronësinë e mediave.

Vitin e kaluar nga organizata vendase u regjistruan 45 raste të sulmit ndaj gazetarëve, ku përfshihen presione, kërcënimeve dhe goditje fizike ndaj tyre, të cilat hetohen me ngadalësi.

Shpifja ende nuk dekriminalizuar plotësisht dhe vazhdon të mbetet kundravajtje penale dhe e parregulluar me standartet europiane, ndërsa paditë e rreme slap ndikojnë në vetcensurimin dhe frenimin e gazeatarëve në punë, pohuan vëzhguesit vendas.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds