Dje nisi procedimi penal për 3 punonjës të dy kompanive Sh.a., pasi ndotën ujërat e lumit Gjanica, duke shkarkuar mbetje të hidrokarbureve.
Pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se një tjetër kompani me aktivitet në përpunimin e hidrokarbureve, shkarkonte mbetje në lumë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e quajtur “Ish-UPN”, Fier, dhe kanë kapur e arrestuar në flagrancë shtetasin Gj. P. 52 vjeç, banues në Fier (punonjës i sektorit të pastrimit të kompanisë) duke shkarkuar mbetjet e hidrokarbureve.
Gjithashtu, për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: Sh. G., 64 vjeç, administrator i kompanisë private dhe M. B., 65 vjeç, përgjegjës i sektorit të pastrimit në këtë kompani.
Këta shtetas, nëpërmjet aktivitetit të tyre në fushën e hidrokarbureve, kanë ndotur ujërat e lumit Gjanica, pasi kanë shkarkuar aty, mbetjet e këtyre lëndëve, duke shkaktuar prishjen e sistemit ekologjik të lumit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.