Mungesa e tokës për varre të reja ne Baltëz të Fierit, është kthyer në një problem serioz për komunitetin rom te 4 fshatrave ku 2000 banorë kryejnë shërbime funerale në këto varreza. Në mungesë të siperfaqes së tokës , tashmë banorët po shfrytëzojnë varret e vjetra familjare për të përcjellë për në banesën e fundit të afërmit e tyre.
Sipas kryeplakut të fshatit Baltëz , Latif Kazanxhiu , e gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndërtimit të mbikalimit qe lidh autostradën Tiranë- Vlorë me disa fshatra në zonë , gjë që ka bërë që një hapësirë e konsiderueshme që i perkiste varrezave ekzistuese të dalë jashtë funksionit. Po sipas Kazanxhiut, përballë kësaj situate , janë bërë kërkesa të vazhdueshme pranë njesisë administrative Dërmënas dhe bashkisë Fier, por deri më sot , nuk ka patur asnjë zgjidhje konkrete.
Kazanxhiu ka pohuar gjithashtu se mungesa e hapësirës për varre të reja jo pak herë është bërë shkak edhe për konflikte ndërmjet banorëve të Baltëzës dhe atyre të komunitetit rom të fshatrave të tjerë si , Sektor Seman, Ferme – Clirim , dhe Hoxhare e Re.
“ E kemi problem të madh thotë një prej banorëve. Në lumë do na hedhin? “
Këto varreza funksionojnë në Baltëz që prej vitit 1964 , dhe kjo është hera e parë që kërkohet sipërfaqe e re toke, pasi edhe vetë periudha e pandemisë ndikoi ndjeshëm në ezaurimin e sipërfaqes për varre të reja. Karakteristikë e kësaj zone është fakti se komuniteti rom ka varreza të ndara nga pjesa tjetër e popullsisë së zonës dhe nuk ka një hapësirë të përbashkët varrezash publike. Ndërkohë burime nga bashkia Fier bëjnë me dije se kanë filluar procedurat e shpronësimit për 2000 katrorë tokë të re për ti dhënë fund kësaj problematike.