Mjekët dhe infermierët janë duke u larguar çdo ditë e më shumë nga Shqipëria. Gjermania është vendi që po rrëmben më së shumti specialistët e kësaj fushe dhe mungesa e tyre po ndihet veçanërisht në fshatrat e largëta, ku pacientët duhet të kalojnë peripecira për të siguruar shërbimin shëndetësor. Mungesa e doktorit i ka detyruar banorët e fshatit Kute në Mallakastër prej më shumë se një viti, që në raste urgjencash të udhëtojnë mbi 15 km në qëndrën më të afërt shëndetësore të fshatit Fratar, kurse në rastet më të rënda drejt Ballshit e Fierit. Kostot e udhëtimit janë shqëtësim më vete thonë të indinjuar banorët për shkak të të ardhurave të pakta financiare që kanë teksa theksojnë, se derisa të mbërrijnë në qytet janë në dorë të Zotit. Mjeku vjen vetëm një herë në javë thonë ata, ndërkohë që prezencën e tij me kohë të pjesshme e shohin si një problematikë madhore duke patur parasysh edhe faktin se në fshat kanë mbetur kryesisht të moshuarit. 

Qëndra Shëndetësore e fshatit është në gjëndje të mirë thonë banorët, por infermieria  është në prag pensioni dhe kjo gjë u shton edhe më shumë frikën e të ndjerit  të rrezikuar për shëndetin e tyre. Përballë kësaj situate ata bëjnë apel që institucionet përgjegjëse të kthejnë sytë edhe në zonën e tyre të harruar e cila përveç mungesës së mjekut vuan edhe mungesën e një sërë shërbimesh të tjera bazike në përditshmërinë e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *