Reshjet e dëborës janë rikthyer në disa qytete të vendit ditën e sotme. Policia e Shtetit u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve për shkak të reshjeve të dëborës në veri të vendit, kryesisht në qarkun e Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës. Drejtuesit e automjeteve, policia i këshillon të ulin shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera. Policia thekson rëndësinë e ndjekjes së udhëzimeve të shërbimeve të saj në terren dhe shmangien e udhëtimeve të panevojshme, sidomos në zonat malore ku reshjet kanë qenë më intensive. Për qytetarët që detyrohen të udhëtojnë në zonat e prekura nga dëbora, rekomandohet që automjetet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë për të evituar aksidente dhe bllokime në rrugë. Ndërkohë, borëpastrueset dhe fadromat janë angazhuar intensivisht për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës për të përmirësuar kushtet e lëvizjes. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës janë rykthyer në Qarkun e Dibrës, ku reshjet e doborës kanë përfshire zonat si Lura, Selishta, Kala e Dodës, fshatrat e Sllovës, ku trashësia e borës arrin deri në 5 cm, kryesisht në Lurë, Selishtë, Kala e Dodës. Gjithashtu ulja e temperaturave dhe prania e borës shkakton dëme në bujqësi dhe në frutikulturë. Ndërkohë, borëpastrueset janë në gatishmëri në rrugën nacionale Peshkopi-Kukës. Po ashtu rënia e temperaturave ka sjellë reshje të dendura dëbore në zonat malore në Shkodër dhe Pukë. Mësohet se reshjet kanë përfshirë akset Boge-Theth, Tamare-Vermosh duke vështirësuar lëvizjen në këto zona. Ndërkohë, borëpastrueset në Shkodër e Pukë mësohet se janë në terren për të pastruar rrugët dhe siguruar kalueshmërinë, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve dhe përdorimin e gomave dimërore. Gjithashtu Kukësi është përfshirë mëngjesin e sotëm nga një mot i keq, i shoqëruar me erëra të forta, reshje shiu dhe bore, si dhe ulje të ndjeshme të temperaturave. Në lartësitë prej 600 metrash mbi nivelin e detit, reshjet e shiut kanë lënë vendin borës, e cila deri më tani ka arritur deri në 5 cm në disa zona. Pavarësisht kushteve të motit, zonat si Arrën, Shishtavec, Kalisë, Gryk Çajë, Zapot, Topojan, Kishaj, Cahan, Valbonë dhe Dragobi nuk kanë paraqitur probleme në lëvizje. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve që përdorin rrugët nacionale janë të këshilluar të bëjnë kujdes, veçanërisht në segmentet Kam-Qaf Luzhë, Ura e Topojanit-Shishtavec, Kolosjan-Bushtricë-Kala e Dodës dhe Kalimash-Qaf Shllak-Qaf Mali.