Për dekada me radhë, industria e modës ka qenë e fiksuar pas rinisë dhe vitalitetit të saj. Në pasarela, kopertina apo në fushata të ndryshme reklamuese, kanë pasur në fokus një ideal të ngushtë  për bukurinë, ku mosha shpesh shihej si pengesë. Modelingu ishte i lidhur ngushtë me rininë, vajzat e moshës 15-29 vjeç përjetonin kulmin e karrierës së tyre e me kalimin e moshës dhe rënien e shkëlqimit të saj. Por së fundmi, kjo narrativë po ndryshon dhe ndryshimi nuk është i vogël. Së fundmi Vogue, një prej institucioneve më me ndikim në botën e modës, për herë të parë në historinë e saj, ka vendosur në kopertinë dy gra 76-vjeçare: Meryl Streep dhe Anna Wintour. Edhe pse zgjedhja kishte një dimension simbolik, të lidhur me filmin The Devil Wears Prada 2, mesazhi ishte i qartë: mosha nuk është më një kufi për pranimin dhe ndikimin e grave.

Gjatë sfilatave të fundit, u vu re një prani në rritje e modeleve mbi 40 apo 50 vjeç, e pandodhur më parë . Shtëpi të mëdha mode si Chanel, Bottega Veneta, Givenchy dhe Balenciaga përfshinë në pasarelat e tyre një numër të konsiderueshëm modelesh më të mëdha në moshë. Në disa raste, këto modele nuk ishin thjesht pjesë e sfondit, por protagonistet kryesore të shfaqjes si Naomi Campbell apo Cindy Crawford, modele ende të kërkuara, të kthyera tashmë në ikona të modelingut.

Kjo rritje e përfaqësimit nuk është rastësi. Ajo pasqyron një ndryshim më të gjerë kulturor. Shoqëria po fillon të sfidojë idenë se bukuria është e lidhur vetëm me rininë. Gratë sot janë më aktive në karrierë, më të dukshme. Pas njëfarë moshë ato kanë krijuar emrin e tyre në industri  dhe kanë ndikim më shumë se kurrë. Rrjetet sociale, media dhe vetë konsumatorët po kërkojnë autenticitet dhe përfaqësim real, larg idealeve shpesh jo fort reale, gati të paarritshme.

Në thelb vërehet se moda po rishkruan rregullat e saj. Gratë më të mëdha në moshë nuk po shihen më si përjashtim, por si pjesë e rëndësishme e historisë që moda dëshiron të tregojë. Dhe ndoshta për herë të parë, ajo histori është më afër realitetit sesa fantazisë.
Duhet theksuar së ky ndryshim nuk ka të bëjë vetëm me modën por shtrihet dhe në sfera të tjera jetësore. Shoqëria e sotme po zgjedh të shohë veten jo idealet e mëparshme. Ajo po strukturon vetveten në bazë të nevojave, ngjarjeve dhe rregullave të reja që po vendos jeta dhe zhvillimet moderne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds