Kryepeshkopi Anastas uron të gjithë besimtarët e krishterë në këtë prag Krishtlindjeje.
“Krishtlindja, e kremtja kulmore e krishterë, nuk është thjesht një rast për të shkëmbyer urime dhe dhurata, për ngrohtësi familjare, për të dëfryer, dhe që sjell ngazëllim shpirtëror në jetën shoqërore. Durimi plot shpresë që buron gjatë Krishtlindjes nuk është dobësi, përkundrazi, është një fuqi mistike. Ai shndërron edhe hidhërimet dhe dobësitë më të mëdha të kësaj jete, duke forcuar rezistencën, shpirtin luftarak, qëndresën cilësore, përkrahjen e së vërtetës dhe të drejtësisë. Apostull Pavli, nga përvoja vetjake, na siguron: “… e dimë që vuajtja sjell durimin, durimi sjell sprovën dhe sprova sjell shpresën. Shpresa nuk na turpëron” Çdo epokë ka trazirat, konfliktet ushtarake, katastrofat, tragjeditë, skamjen, lëndimin shpirtëror, dëshpërimin e vet. Epoka jonë po tronditet nga luftra të tejzgjatura mizore, krejt të paimagjinueshme, në shumë skaje të tokës, por edhe afër nesh, në Ukrainë dhe në Palestinë. Kundërshtitë dhe përçarjet po mundojnë edhe mjediset kishtare. Çdo popull ka problemet e tij të shumëllojta. Çdo bashkësi, çdo njeri përjeton çaste trishtimi të thellë dhe dhimbjeje. Në të gjitha rastet, udhërrëfyes i domosdoshëm mbetet durimi plot shpresë. Le ta shtojmë përgjërimin tonë për ndalimin e përplasjeve vrastare dhe të krizave të ndryshme shoqërore, që kudo në tokë të mbretërojë paqja. Le të mundohemi që, “nëpërmjet durimit dhe ngushëllimit, që burojnë nga Shkrimet”, të forcojmë mes nesh njëmendësinë dhe bashkëpunimin harmonik, duke patur më tepër shpresë brenda nesh. Ja, Krishti lind, lavdërojeni! Durimi plot shpresë, nëpërmjet hirit të Perëndisë Triadik, le t’i mbushë zemrat tona me gëzim dhe paqe të përndritur, veçanërisht gjatë këtyre të kremteve të dhjetorit dhe të të gjithë Vitit të Ri 2024 që po afron”.
