Komisioni i Arsimit, nën drejtimin e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Luciano Boçi, zhvilloi një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, lidhur me projektligjin për AKSHA-n. Por përpara nisjes së diskutimit, vëmendja u zhvendos tek një ngjarje tragjike që ka prekur komunitetin arsimor.

Boçi ngriti shqetësimin për ndarjen nga jeta të mësuesit Alban Bejleri, duke e cilësuar rastin si simbol të një realiteti të rëndë që përballin mësuesit në zonat rurale. Ai theksoi se Bejleri përshkonte çdo ditë rreth 8 kilometra në kushte të vështira për të dhënë mësim për vetëm dy nxënës në shkollën e fshatit Marjan, duke udhëtuar nga Lozhani.

“Nuk është thjesht një vdekje në krye të detyrës, por një vrasje e ngadaltë dhe tinzare që sistemi i bën mësuesve,” u shpreh Boçi, duke akuzuar institucionet për neglizhencë dhe mungesë mbështetjeje ndaj figurës së mësuesit.

Sipas tij, rasti i Bejlerit nuk është i izoluar, por përfaqëson sakrificat e përditshme të shumë mësuesve që punojnë në kushte të vështira, shpesh larg vëmendjes publike. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit institucional, duke theksuar se Ministria e Arsimit nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për këtë rast.

Boçi ngriti pyetje mbi ndërgjegjen institucionale përballë kësaj tragjedie dhe kërkoi një vlerësim konkret për punën dhe përkushtimin e mësuesit, duke nënvizuar se figura e mësuesit duhet të vendoset në piedestalin që meriton.

Në përfundim të fjalës së tij, ai i ftoi anëtarët e komisionit të mbajnë një minutë heshtje në nderim të mësuesit Alban Bejleri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds