Kërksa e ish-Presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë pritet që të shqyrtohet më 8 shtator. Mësohet se seanca do të mbahet në orën 10 në sallën e gjykimeve të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Meta, kërkon lirinë me argumentin se nuk do t’i shmanget drejtësisë, nuk ka rrezik dhe po ashtu se mbajtja në qeli e pengon për të bërë politikë dhe drejtuar Partinë e Lirisë.
Njoftimi i GJKKO:
Ju vëmë në dijeni, se më datë 08.09.2025, ora 10:00, në sallën e gjykimeve të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar gjykimi në shkallë të dytë, i kërkesës penale, me nr. 194 regjistri themeltar, me:
ANKUES: Ilir Metaj
OBJEKTI: Ankim ndaj vendimit nr. 546, datë 13.08.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimi i masës së sigurimit personal të “Arrestit në burg”, për shtetasin Ilir Metaj, akuzuar për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Neni 260, i Kodit të Procedurës Penale.
BAZA LIGJORE: Kjo gjykatë është vënë në lëvizje edhe mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri që ju përfaqësoni. Mosparaqitja juaj pa shkaqe te arsyeshme, do të shkaktojë zëvendësimin tuaj me mbrojtës kryesisht, të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
