Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo ka dënuar kërcënimet ndaj gazetares së Klan News, Glidona Dacit. Në një deklaratë për mediat, Garo thekson se gazetarja Daci ka rënë pre e sulmeve në rrjetet sociale nga një profil me emrin Nesti Angoni, të cilin ajo e ka quajtur ‘Nesti i Partisë’. Garo tha se Partia Dmokratike dënon ashpër sulmin ndaj Dacit si dhe të çdo gazetari tjetër e cilësdo mënyrë qoftë ajo, fizike apo në faqet private online.
Deklarata e Garos:
Patronazhistë e partisë, fizikisht ose si trolle online, janë lëshuar kundër çdo zëri të pavarur që denoncon korrupsionin dhe jetën e luksit të qeveritarëve, arritur me vjedhje të taksave të shqiptarëve. Viktimë e sulmeve me maska interneti është bërë gazetarja Glidona Daci e Klan News, e cila ka marrë kërcënime në rrjetet sociale, me gjuhë denigruese, nga një profil me emrin Nesti Angoni. ‘Nesti i partisë’ që sulmon si të vetët, edhe kundërshtarët, në varësi të direktivave që merr, sulmon gazetaren e kronikës në punë të vet, vetëm pse raporton fakte që nuk u pëlqejnë të korruptuarve të oborrit të bashkisë dhe qeverisë.
Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin ndaj Glidona Dacit dhe çdo gazetari, në krye të detyrës apo në faqet e tyre private online, dhe sheh pas tyre fytyrën linçuese dhe të murrëtyer të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bashibozukëve të tyre me maska dhe emra fals. Është e qartë se guximi i Angonatëve të Rilindjes dhe sharlatanëve të saj, linçues me pagesë, ka prapavijë politikë. Regjia është në selinë e qeverisë dhe në zyrat e bashkisë ku strehohet sektori i censurës dhe programi i dhunimit të fjalës së lirë.