Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, mori pjesë në Konferencën Mbarëkombëtare Farmaceutike, e cila këtë vit shënoi edhe 20-vjetorin e themelimit. Në fjalën e saj, ajo e cilësoi këtë event si një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme, por edhe për të adresuar sfidat që e presin sektorin në të ardhmen.

“Ky përvjetor është një mundësi për të vlerësuar rrugën e bërë deri më sot, por edhe për të parë me realizëm sfidat që kemi përpara. Sektori farmaceutik është një nga shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor dhe forcimi i tij mbetet një prioritet kombëtar, me synimin për të garantuar akses të qëndrueshëm në barna cilësore, të sigurta dhe efektive”, u shpreh ministrja. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e reformimit dhe inovacionit në këtë sektor, duke nënvizuar se një nga objektivat kryesore mbetet përmirësimi i aksesit të qytetarëve në barna të reja.

Sipas saj, synohet jo vetëm futja e barnave inovative në treg, por edhe shkurtimi i kohës së aksesit për pacientët, në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Ministrja Sala shtoi se zhvillimi i qëndrueshëm i tregut farmaceutik kërkon politika të balancuara, që garantojnë njëkohësisht aksesin për qytetarët, çmime të përballueshme dhe stabilitet afatgjatë të sektorit, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët e përfshirë.

Fjala e plotë e Ministres Evis Sala:

“Të nderuar pjesëmarrës, Të nderuar kolegë dhe partnerë.

Është kënaqësi të jemi sot së bashku në Konferencën Mbarëkombëtare Farmaceutike, që këtë vit përkon edhe me 20-vjetorin e krijimit të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.

Dua të shpreh një falenderim të veçantë për Presidentin e Urdhrit të Farmacistëve, z. Defrim Goma, si dhe për të gjithë stafin e tij, bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm në forcimin e këtij profesioni.

Ky përvjetor është një mundësi e mirë për të vlerësuar rrugën e bërë deri më sot, por edhe për të parë me realizëm sfidat që kemi përpara.

Sektori farmaceutik është një nga shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor. Për këtë arsye, forcimi i tij mbetet një prioritet kombëtar, me një objektiv të qartë: garantimin e aksesit të qëndrueshëm të qytetarëve në barna cilësore, të sigurta dhe efektive.

Së fundmi kemi ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të reformimit dhe modernizimit të sistemit farmaceutik, me synimin për të kaluar drejt një modeli më transparent, më efikas dhe më të dixhitalizuar. Ky proces është thelbësor për të rritur besimin, për të përmirësuar shërbimin dhe për të garantuar funksionim më të qëndrueshëm të tregut.

Një nga prioritetet tona është përmirësimi i aksesit në barna inovative, duke synuar jo vetëm futjen e tyre në treg, por edhe shkurtimin e kohës së aksesit për pacientët, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

Në të njëjtën kohë, jemi të vetëdijshëm që sistemi kërkon politika të balancuara, midis aksesit, çmimeve të përballueshme dhe qëndrueshmërisë së tregut farmaceutik. Kjo kërkon vendimmarrje të kujdesshme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët.

Në këtë drejtim, dialogu i hapur me industrinë farmaceutike, profesionistët e fushës, dhe të gjithë përfaqësuesit e sistemit mbetet thelbësor për ndërtimin e politikave efektive dhe afatgjata.

I rëndësishëm mbetet edhe bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar, sfida si mungesat e barnave apo zinxhirët e furnizimit kërkojnë koordinim të ngushtë dhe qasje të përbashkët sidomos për tregjet të vogla si ne.

Kemi pasur ndryshime konkrete, të prekshme në këtë drejtim, para dy javësh është miratuar VKM e re e çmimit të barnave.

E gjitha me synimin për ta bërë atë më realiste dhe më të përshtatur me dinamikat e tregut dhe vështirësitë që hasin kompanitë farmaceutike. Qëllimi është ndërtimi i një sistemi më të qëndrueshëm dhe më të parashikueshëm, në interes si të pacientëve, ashtu edhe të aktoreve të tregut.

Në qendër të çdo reforme dhe çdo vendimmarrjeje mbetet pacienti. Objektivi ynë është të garantojmë barazi në akses dhe të përmbushim sa më mirë nevojat terapeutike të çdo qytetari.

Në këtë kontekst, roli i farmacistit është gjithnjë e më i rëndësishëm. Ai nuk është më thjesht një hallkë e shpërndarjes së barnave, por një profesionist kyç në kujdesin ndaj pacientit dhe në përdorimin e sigurt dhe racional të tyre.

Së dyti, po punojmë për rishikim tërësor të legjislacionit për barnat në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian, si një hap i rëndësishëm për rritjen e standardeve dhe forcimin e sigurisë në treg.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kjo konferencë është një mundësi e mirë për të shkëmbyer mendime, për të ndarë përvoja dhe për të ndërtuar bashkëpunime konkrete për të ardhmen e sektorit farmaceutik në vendin tonë dhe më gjerë.

Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj dhe ju uroj punime të mbara!”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds