Për të katërtin vit radhazi, industria e prodhimit të këpucëve po humbet terren. Ky segment, ku veprojnë disa nga sipërmarrjet më të mëdha që punojnë me material porositësi, është goditur nga euroja e dobët, mungesa e punonjësve, rritja e pagave dhe largimi i porosive drejt vendeve më të lira.
Rënia e euros ka ulur ndjeshëm të ardhurat e eksportuesve në lekë. Kontratat paguhen kryesisht në monedhën europiane, ndërsa pjesa më e madhe e kostove mbulohet në lekë. Sa më e dobët euroja, aq më pak të ardhura mbeten për pagat, energjinë, transportin dhe shpenzimet e tjera.
Mungesa e fuqisë punëtore po kufizon kapacitetet prodhuese. Kompanitë e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë dhe të mbajnë punonjës, duke humbur mundësinë për të marrë më shumë porosi ose për t’i përmbushur ato brenda afateve. Në disa raste, kërkesa ekziston, por fabrikat nuk kanë staf të mjaftueshëm për ta përballuar.
Pagat janë rritur prej vitesh, pasi sipërmarrjet po përpiqen të frenojnë largimin e punonjësve. Presioni u shtua në janar 2026, kur paga minimale arriti në 50 mijë lekë. Për një industri që mbështetet te puna intensive dhe konkurron kryesisht përmes kostos së ulët, çdo rritje page ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar.
Kjo po i shtyn porositësit, kryesisht italianë, të kërkojnë tregje alternative. Një pjesë e prodhimit po zhvendoset drejt Marokut dhe vendeve të Lindjes së Mesme, ku kostot e punës janë më të ulëta.
Industria e këpucëve është ndër aktivitetet më të lehta për t’u zhvendosur. Fabrikat punojnë sipas porosisë, teknologjia transferohet relativisht shpejt dhe furnitorët nuk lidhen domosdoshmërisht me një vend të vetëm. Sapo prodhimi shtrenjtohet, porositë lëvizin.
Goditja nuk vjen vetëm nga Shqipëria. Kërkesa globale për këpucë dhe veshje është dobësuar, pasi konsumatorët po shpenzojnë më me kujdes. Ngadalësimi ekonomik, lufta në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe pasiguria e zgjatur kanë ulur porositë për produkte që nuk konsiderohen të domosdoshme.
Eksportuesit shqiptarë ndodhen mes dy presioneve: duhet të përballojnë kosto më të larta në vend dhe njëkohësisht të mbajnë çmime të ulëta për të mos humbur klientët e huaj. Ky kombinim po e mban sektorin në tkurrje dhe po rrit rrezikun që edhe më shumë porosi të largohen nga Shqipëria.
Në vitin 2025, eksportet e tekstileve dhe veshjeve të këmbëve u reduktuan me rreth 1% në vlerë, me një tkurrje të barabartë nga të dy segmentet. Ndërsa në vitin 2025 u arrit që të frenohej disi rënia e dy viteve të mëparshme, në pjesën e parë të 2026-s tendenca është përkeqësuar sërish.
Për periudhën janar –qershor 2026, eksportet e tekstileve e këpucëve ranë përkatësisht me 6.6% dhe 7.3%, me bazë vjetore.
