Sot në Lushnjë pas një muaji me shumë aktivitete elektorale, situata është e qetë, si një fundjavë e zakonshme pranvere me fëmijët dhe të moshuarit që luajnë në park dhe njerëzit që vazhdojnë aktivitetet e tyrë të përditshme. Por pavarësisht heshtjes elektorale nga subjektet politike, votimi i ditës së neserme është tema kryesore e bisedave të qytetarëve lushnjarë.
Shqipëria voton nesër, në 11 maj, kurse sot sipas Kodit Zgjedhor, është heshtje zgjedhore.
PD dhe PS mbyllën fushatën mbrëmjen e së premtes, me mitingjet e tyre të fundit, socialistët u mblodhën te Parku Olimpik dhe demokratët te Bulevardi i Ri. Mbrëmë u dhanë edhe mesazhet e fundit politike votuesve, Edi Rama me kartën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kurse Sali Berisha me programin, ku premtohen rritja e pagave dhe pensioneve. PD në drejtimin e fushatës elektorale kishte Chris LaCivita, strategut amerikan, që shpesh u sulmua nga Kryeministri.
Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 77, përcakton qartë periudhën e heshtjes zgjedhore dhe kufizimet që lidhen me të. Sipas këtij neni, dita para datës së zgjedhjeve dhe dita e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore.
Gjatë kësaj periudhe, ndalohet çdo aktivitet fushate zgjedhore, përfshirë zhvillimin e mitingjeve, aktiviteteve të tjera zgjedhore dhe shpërndarjen e materialeve propagandistike nga subjektet zgjedhore.
Në zgjedhjet e 11 majit 2025 të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713.761 shtetas shqiptarë, nga të cilët 114.642 votojnë për herë të parë. Risi në këto zgjedhje parlamentare është vota e diasporës, ku për të zgjedhur për Parlamentin e ri janë regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë.
Në garë janë 2.046 kandidatë, që përfaqësojnë 11 subjekte që përfshihen në pjesën e votimit, 3 prej të cilave janë koalicione me dy ose më shumë parti.
Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.
Mbi 5 mijë punonjës policie janë angazhuar për ruajtjen e objekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që mbahen këtë të diel të 11 Majit. Uniformat blu kanë marrë në ruajtje KZAZ-të, që në momentin që në to kanë shkuar materialet zgjedhore.
Paraditen e sotme, efektivët që janë planizuar në ruajtjen e qendrave të votimit, fillimisht instruktohen dhe më pas do shpërndahen në qendrat ku janë vendosur për të kryer shërbim.
Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, merren në ruajtje nga Policia e Shtetit ditën e shtunë.
Të dielën e 11 Majit, ditën e votimit, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e policisë tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.