Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë nuk ka një vendim për ndërprerje të punës, siç kanë vendosur gjykatat në rrethe, pas vrasjes me armë zjarri në sallën e gjyqit të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Disa prej gjyqtarëve sipas informacioneve nga sekretaria e kësaj gjykate kanë ndërprerë punën për seancat e programuara për sot ndërsa disa të tjerë kanë vijuar normalisht punën. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, janë zhvilluar vetëm gjyqet për çështje urgjente dhe në vijim do të shikohet nëse do t’i bashkohen nismës për ndërprerjen e seancave në shenjë solidariteti për vrasjen e gjyqtarit të apelit Astrit Kalaja.
Gjykata administrative e shkallës së parë në Lushnjë ka në organikën e saj gjithsej 9 gjyqtarë të cilët shqyrtojnë kundravajtjet administrative të konstatuara në territorin që mbulon kjo gjykatë. Nga 9 gjyqtarë të organikës, vetëm 5 prej tyre janë në punë sepse sipas burimeve konfirmohet se tre prej tyre janë transferuar në gjykata të tjera dhe një është pezulluar për shkak të vetingut.
Gjithsesi kjo situatë është tejet konfuze pasi të gjitha gjykatat në shkallë vendi janë solidarizuar me ngjarjen e ditës së hënë kur një gjyqtar u vra në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Në faqen zyrtare të Gjykatës Administrative e Shkallës së Parë në Lushnjë nuk kishte asnjë njoftim zyrtar që të njoftonte qoftë edhe sensibilizimin e kësaj gjykatë për ngjarjen, të paktën deri në mesditën e së martës.
