Janë siguruar pamjet e konfliktit që përfundoi me plagosjen e rëndë të kamarierit 18-vjeçar, Genti Nela, në një lokal hoteli në Malin e Robit, në Golem.

Videoja tregon vetëm momentet jashtë lokalit, ndërsa ajo që ka ndodhur brenda mbetet ende për t’u zbardhur, pasi kamerat e sigurisë rezultojnë të jenë dëmtuar.

Në pamje shihet 18-vjeçari që del me vrap nga lokali, ndërsa ndiqet nga disa persona.

Në një moment, i riu ndalon, kthehet dhe godet me grusht Florian Habilajn, i cili rrëzohet në tokë.

Menjëherë pas kësaj, disa persona i drejtohen 18-vjeçarit dhe vijojnë ta godasin.

Këto janë momentet e konfliktit që janë fiksuar nga kamerat jashtë lokalit.

Pjesa e sherrit brenda ambienteve të hotelit nuk është e dokumentuar me pamje.

Gjatë veprimeve procedurale, grupi hetimor ka konstatuar se DVR-ja e sistemit të kamerave ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.

Ngjarja ndodhi më 27 gusht, në ditën kur Genti Nela u njoftua se duhej të largohej nga puna si kamarier.

Sipas të dhënave të bëra publike për hetimin, konflikti lidhet me largimin nga puna dhe pagesën për ditët e punuara.

18-vjeçari kishte kërkuar shpjegime për vendimin dhe për faktin se nuk ishte njoftuar më herët, çka sipas tij do t’i kishte dhënë mundësinë të gjente një tjetër punë.

I riu kishte përfunduar gjimnazin dhe kishte nisur punën sezonale për të siguruar të ardhura.

Pas konfliktit, ai përfundoi në spital me dëmtime në kokë dhe fytyrë.

Sipas të dhënave të bëra publike, 18-vjeçarit iu vendosën dy qepje pas koke, kishte një dhëmb të thyer dhe frakturë në hundë.

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç. Gjykata e Durrësit ka caktuar për ta masën “arrest në burg” me afat 45 ditë. Ata akuzohen për “Plagosje të rëndë me dashje”.

Ndërkohë, Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim, ndërsa një person tjetër po hetohet në gjendje të lirë.

Në një zhvillim tjetër të ngjarjes është arrestuar edhe xhaxhai i 18-vjeçarit, 47-vjeçari Melson Nela. Sipas Policisë, ai u ndalua pranë hotelit teksa dyshohet se po shkonte drejt tij i armatosur.

Gjatë kontrollit në automjetin e tij, policia gjeti një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë. Nela akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa në gjykatë ka mohuar versionin se ishte nisur për hakmarrje.

Katër ditë pas ngjarjes, Florian Habilaj u paraqit në Gjykatën e Durrësit me një fashë të vogël në pjesën e sipërme të kokës.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur brenda lokalit, ku mungojnë pamjet filmike, si dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë në konflikt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds