Ka nisur në gjykatën e Durrësit seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj gjyshit të 3-vjeçarit dhe vëllait të gjyshes, e cila është shpallur në kërkim, pasi që nga e shtuna ka marrë pa të drejtë nipin e saj nga e ëma.
Pas çasteve të para, gjyqtarja e seancës vendosi zhvillimin e saj me dyer të mbyllura.
Nëna ka bërë apel mes lotësh vjehrrit t’ia kthejnë djalin, pasi sipas saj e kanë ata. Kontrollet për gjetjen e tij po vazhdojnë me intensitet në të gjitha zonat e mundshme. Ille Gjuni 22 vjeçe e ka fëmijë të vetëm, djalin 3 vjeç. Ajo thotë se pas vdekjes së të shoqit në aksident e dërgonte djalin te gjyshërit, por pas vizitës të gjyshërit nuk e kthyen më te e ëma.
Duke qenë se çështja konsiderohet tejet e ndjeshme për shkak të ngjarjeve në familjen Gjuni, që në shkurt të vitit 2023 humbi njërin nga dy djemtë, policia është treguar e kujdesshme në trajtimin e rastit, ndërkohë që nëna tejet e dëshpëruar pret të marrë në krah fëmijën e saj.
Ajo hedh poshtë pretendimet për konflikt mes saj dhe gjyshërve të djalit në lidhje me përfitimet pasurore pas vdekjes së bashkëshortit.
