Ish-prokurori Arjan Ndoja ka dhënë sot dëshminë e tij për atentatin me armë zjarri të ndodhur më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të urës së Shkozetit, ku mbeti i plagosur vetë, ndërsa humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku. Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar Plarent Dervishaj, i cili po përballet me drejtësinë si i dyshuar për organizimin e atentatit.
Gjatë dëshmisë së dhënë në sallën e gjyqit, Ndoja tregoi detaje të ngjarjes tragjike dhe theksoi se nuk ka pasur kurrë konflikte personale me askënd që mund ta lidhin me një tentativë për vrasje.
“Kam qenë duke u kthyer në shtëpi me makinën time, një Mercedes Benz, të cilën e përdornin edhe persona të familjes sime. Me mua në atë moment ndodheshin Andi Maloku, i ndjeri që sapo kisha marrë në punë, dhe Aleksandër Laho, që njihej si avokat,” deklaroi Ndoja. “Në momentin e atentatit, Andi ishte në timon, unë në sediljen e pasagjerit dhe Aleksandri pas.”
Ai përshkroi momentet kur u qëllua mbi ta: “Sapo kaluam mbi mbikalim, filluan të shtënat. Fillimisht mu duk si zhurmë plastike, por më pas kuptova që ishin plumba që vinin nga pas. Nuk pamë makinën, sepse nuk kishim si. Të shtënat dukeshin të vinin nga dy armë të ndryshme.”
Sipas ish-prokurorit, ka qenë vetëm për pak minuta i vetëdijshëm pas sulmit dhe më pas ka humbur ndjenjat. Ai u dërgua në spital në gjendje të rënduar. Ndërsa dëshmonte, Ndoja theksoi se Maloku kishte mundur të hapte derën e makinës para se të rrëzohej nga plagët e marra.
Sa i përket motivit të ngjarjes, Ndoja mohoi të kishte ndonjë borxh apo konflikt. “Nuk kam pasur problem me askënd. Nuk kam pasur shqetësime. Dua të di pse ndodhi kjo. Deri më sot askush nuk ka dalë të më thotë çfarë borxhi u kam.”