Po mbijetojmë me shpirt ndër dhëmbë, shprehen në ditën e 11- të të grevës naftëtarët protestues të ngujuar në zyrat e Sindikatës të Sektorit Hidrokarbur në Marinzë. Përballë heshtjes së kompanisë për plotësimin e kërkesave tona , por edhe neglizhencës së shtetit shqiptar, ne do të vijojmë qëndresën tonë kanë thënë ata.
Pa sindikata, nuk ka demokraci dhe ka ardhur koha që kjo thirrje të buçasë fuqishëm për të kthyer dinjitetin e punonjësve ka thënë grevisti Dritan Rrapushi. U kanë vendosur në fyt litarin e bukës së fëmijëve disa grevistëve duke i detyruar të rikthehen në punë, ka thënë ai, por presionet e tyre psikologjike nuk do munden të na përçajnë dhe ne do t’i shkojmë deri në fund kauzës tonë.
Ndërkohë për situatën e krijuar punonjësit e “Bankers Petroleum” kanë vënë në dijeni nëpërmjet shkresave zyrtare Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit dhe Ambasadorin e BE në Shqipëri Silvio Gonzato, ku kërkojnë përkrahje urgjente për zgjidhjen e situatës, ka thënë Rrapushi.
Grevistët shprehen të vendosur për përshkallëzim të grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
