Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me hetimet ndaj aktiviteteve të Call Center-ave mashtrues në Shqipëri, pas goditjes së fundit të një rrjeti disa ditë më parë nga autoritetet.
Në fjalën e tij, Braçe theksoi se ky fenomen nuk është i ri, duke u shprehur: “Aktiviteti i Call Center-ave apo Forex këtu është aktivitet i hershëm. Pikërisht se ka qenë i tillë jam detyruar në Komisionin e Ekonomisë të kërkoj shpjegime nga autoritetet dhe mbi të gjitha nga AMF, autoriteti i ndalimit të pastrimit të parave dhe Policia e Shtetit.”
Ai bëri të ditur se vetëm dy muaj më parë ka kërkuar një angazhim më të gjerë institucional: “Kam kërkuar të zhvilloj një seancë të përbashkët përfshirë AMF, Tatimet, Policinë e Shtetit me sektorin e Krimit Kibernetik, për të goditur këtë fenomen në territorin e Shqipërisë.”
Sipas deputetit socialist, aktiviteti ka qenë në vëmendje të institucioneve shqiptare, por ai theksoi qartë se përgjegjësia nuk është shtetërore: “E them me plot gojë se ky nuk është krim shtetëror, por i personave individualë që merren me këtë mashtrim të qytetarëve evropianë nga territori i Shqipërisë.”
