Në projektbuxhetin e vitit 2027 janë parashikuar rreth 35 miliardë lekë (afërsisht 385 milionë euro) për skemën e pensioneve, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në bonuset dhe indeksimet për mbi 755 mijë pensionistë në Shqipëri.
Në vendin tonë, pensioni mesatar i pleqërisë është afërsisht 20,123 lekë në muaj për zonat urbane (rreth 205 euro) dhe 12,313 lekë në muaj për zonat rurale (rreth 125 euro).
Për vitin 2027, qeveria ka ndryshuar strategjinë e mbështetjes për pensionistët: nuk do të ketë rritje me përqindje të ndryshme sipas kategorive, rritja do të bëhet përmes dyfishimit të bonusit fiks mujor dhe shtesa e dytë përmes një indeksimi të përgjithshëm në mes të vitit, për të gjithë pensionistët.
Në vlerë monetare, shtesa si më poshtë:
Për pensionet e plota të pleqërisë në qytet (me vlerë deri në 40 mijë lekë), bonusi mujor rritet nga 1,600 lekë në 3,600 lekë në muaj (Shtesa 2,000 lekë/muaj).
Për pensionet e fshatit (me vlerë deri në 18 mijë lekë), bonusi rritet nga 1,000 lekë në 2,000 lekë në muaj (Shtesa +1,000 lekë/muaj).
Për ata që nuk kanë vite të plota pune (pensionet deri në 22 mijë lekë), bonusi rritet nga 800 lekë në 1,600 lekë në muaj (Shtesa 800 lekë/muaj).
Përveç bonusit mujor fiks, në prill të vitit 2027 do të aplikohet edhe indeksimi vjetor i pensioneve për të gjithë (që llogarit normën e inflacionit të ushqimeve). Ky indeksim parashikohet të jetë në nivelin 2.7% deri në 3% dhe do t’u shtohet direkt vlerave bazë të pensioneve për të gjitha kategoritë pa përjashtim. Një pensionisti që merr 20 mijë lekë do t’i shtohen rreth 6 mijë lekë.
Kush nuk përfiton nga rritja e bonusit?
Pensionet mbi 40 mijë lekë në muaj nuk përfitojnë fare nga kjo skemë bonusesh.
Nëse një pensionist e ka pensionin 38 mijë lekë, ai nuk do ta marrë bonusin e plotë prej 3,600 lekësh, por 2 mijë lekë, aq sa totali i tij mujor të mos kalojë tavanin prej 40 mijë lekësh.
Ndryshimet në pensionet private
Për skemat private të pensioneve, afati për përfitimin ose transferimin e fondeve pas ndryvendosjes së vendit të punës është ulur nga 5 vite në 3 vite.
Ministria e Financave në ligjin “Për fondet e pensionit privat” synojnë të reformojnë rrënjësisht këtë treg në Shqipëri. Synimi kryesor është përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian, rritja e sigurisë për kursimet e qytetarëve dhe nxitja e skemave kolektive përmes kritereve si më poshtë:
• Nëse një punëdhënës krijon dhe financon një fond pensioni privat për stafin e tij, punonjësi fiton të drejtën e plotë mbi ato para pas 3 viteve punë në atë kompani (nga 5 vite që ishte me ligjin e vjetër).
• Nëse punonjësi largohet nga puna pas vitit të tretë, ai i merr me vete të gjitha kontributet e derdhura nga punëdhënësi ose mund t’i transferojë ato në një fond tjetër pa i humbur.
A mjaftojnë pensionet në Shqipëri?
Për shkak të deficitit ku kontributet nuk mjaftojnë për të mbuluar pagesat (me rreth 106 milionë euro deficit vjetor të mbuluar nga buxheti i shtetit), mbi 55% e pensionistëve marrin pagesa të pjesshme për shkak të viteve të pamjaftueshme të sigurimit, si dhe rreth 145 mijë të moshuar edhe pse në moshë pensioni detyrohen të punojnë.
Edhe pse këto shtesa synojnë të rrisin të ardhurat e pensionistëve, Shqipëria mbetet ende pas vendeve të rajonit për sa i përket vlerës së pensioneve. Për shembull, pensioni mesatar në vitin e fundit në Malin e Zi ishte rreth 543 euro, në Serbi rreth 485 euro dhe në Maqedoninë e Veriut rreth 450 euro.
