60 familje dhe më shumë se 20 biznese të një pallati në lagjen “Apollonia“ në Fier, enden dyerve të institucioneve, pasi kanë mbi dy dekada që kanë hyrë në shtëpitë e tyre, por ende janë të papajisur me çertifikatë pronësie. Një përfaqësi e tyre janë mbledhur paraditen e sotme pranë Kadastrës së Fierit, për të protestuar në lidhje me këtë problematikë të pazgjidhur shumëvjeçare. Banorët pretendojnë se në objekt nuk ka plan mbivendosje dhe asnjë pengesë ligjore për tu pajisur me dokumente të rregullta.
Ndërkohë ndërtuesi i pallatit 12 katësh, Njazi Vrenozi, pohon se nga 9 pallatet që ka ndërtuar në Fier, ky është i vetmi që banorët e të cilit kanë mbetur pa u pajisur ende me çertifikatë pronësie. Sipas tij ngërçi ka ardhur pasi ka patur një mospërputhje të metrave të deklaruara nga ish- pronarët, problem që është sqaruar tashmë.
I kontaktuar në lidhje me këtë problematikë Drejtori i Kadastrës Evarist Kazheli ka pohuar se dosja do të trajtohet me prioritet për ti dhënë zgjidhje sa më të shpejtë shqetësimit të banorëve .
