Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se procesi i rithemelimit të kësaj force politike ka sjellë ndryshime të thella në strukturat drejtuese, duke theksuar rritjen e përfaqësimit të të rinjve dhe grave.

Në një bashkëbisedim online, Berisha tha se 60% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD përbëhen nga të rinj dhe gra, ndërsa sipas tij, shumica e drejtuesve të rinj janë zgjedhur për herë të parë.

“Dy të tretat e Kryesisë së zgjedhur të Partisë Demokratike zgjidhen për herë të parë. Nga 14 sekretarë, vetëm tre janë të rizgjedhur”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar këtë proces si “më të thellin e rithemelimit të PD pas themelimit të saj”.

Ish-kryeministri u shpreh se ndryshimet nuk kanë të bëjnë vetëm me statistikat, por edhe me përfshirjen e figurave të reja dhe profesionistëve që, sipas tij, do të kontribuojnë në misionin e Partisë Demokratike.

Berisha falënderoi gjithashtu kandidatët që nuk u zgjodhën në strukturat drejtuese, duke thënë se ata do të vijojnë të kenë role të rëndësishme në parti, në grupin parlamentar dhe në proceset e reformimit.

Kreu i PD-së theksoi se procesi i rithemelimit do të vijojë dhe se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet diasporës. Ai bëri të ditur se për herë të parë është institucionalizuar roli i saj në strukturat e partisë, me zgjedhjen e një nënkryetari dhe një sekretari për diasporën.

Sipas Berishës, PD synon të përfshijë më shumë personalitete dhe profesionistë nga Shqipëria, Europa dhe bota, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e partisë.

Sali Berisha:Me këtë rast, ajo çka dua të informoj të gjithë ju është se ky proces u zhvillua në moton e rithemelimit të Partisë Demokratike. Dhe ju them me kënaqësi, jo vetëm të rithemelimit në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare do të thosha në këtë parti. Kështu, sot në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, 60% përbëjnë të rinjtë dhe gratë, dhe ky është një proporcion shumë, shumë i rëndësishëm për ne. Sepse patëm trashëguar një deformim nga i cili u ndamë përfundimisht.

Dy të tretat e Kryesisë së zgjedhur të Partisë Demokratike zgjidhen për herë të parë. Sikundër tre nënkryetarë të Partisë Demokratike zgjidhen për herë të parë. Nga 14 sekretarë, vetëm tre janë të rizgjedhur. Pra, mund t’ju informoj se ky është procesi më i thellë i rithemelimit të Partisë Demokratike pas themelimit të saj. Por nga ana tjetër janë vendosur proporcione të domosdoshme të përfaqësimit në këtë parti. Jam i bindur se kërkesa themelore për çdo qytetar dhe anëtar mbështetës të kësaj partie ka qenë rithemelimi.

Ju siguroj se në këtë proces nuk kanë ndryshuar vetëm statistikat, por Partia Demokratike ka shpalosur kualitete dhe vlera ndër më të shquarat. Kështu që në kilometrin e fundit të saj, ajo ka një ekip të pajisur me të gjitha aftësitë për të udhëhequr këtë parti për përmbushjen me sukses të misionit të saj. Dua të theksoj me këtë rast se ne jemi një parti që bazohemi tek vota e anëtarëve tanë.

Dhe shprehim një njohje të thellë për të gjithë bashkëpunëtorët e mi që nuk u zgjodhën, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Unë ruaj për ta vlerësimin më të lartë. Theksoj se shumë prej tyre kanë funksione të tjera shumë të rëndësishme në Partinë Demokratike, grupin e saj parlamentar dhe misione në drejtim të reformave themelore në interes të kësaj partie dhe të vendit. Kjo është ajo çka unë desha t’ju informoj juve, por dua të them prapë me kënaqësi se procesi i rithemelimit nuk ndalet dhe nuk do ndalet.

Në mënyrë të përsëritur ju kisha pohuar se Partia Demokratike ka rreth saj personalitete të shquara, individë me vlera ekselente në fushat e veta dhe jo pak prej tyre garuan me sukses në këtë proces. Por janë të tjerë të shumtë që kanë shprehur gatishmërinë dhe janë të lidhur me Partinë Demokratike, kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar, për të vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptarë vizionin e kësaj partie, të gjithë potencialin e tyre intelektual, profesional në Shqipëri, në Europë dhe në botë kudo që ndodhen.

Për herë të parë në këtë proces rithemelimi u institucionalizua roli dhe vendi i diasporës. Hapa të parë të rëndësishme janë shënuar, një nënkryetar partie dhe një sekretar për diasporën janë zgjedhur. Përpjekje të tjera do të bëhen për ridimensionimin e rolit të diasporës në jetën politike të Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë. Pra, për të gjithë ata të cilët kërkonin me të drejtë dhe prisnin rithemelimit si tipar kryesor mendoj se hapa të rëndësishme janë shënuar dhe të tjera do vijnë. Gjatë kësaj jave vazhdoi me heroizëm epik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds