Me propozim të Taulant Ballës, kryetar i grupit parlamentar socialist, në komisionet parlamentare nisi diskutimi i ndryshimeve të ligjit për shtetësinë shqiptare që marrin të huajt.

Ndryshimi i propozuar lidhet me atë që quhet “Natyralizim për interes shtetëror”, ku parashikohet se “i huaji fiton shtetësinë shqiptare jashtë kushteve të përcaktuara nga neni 8, nëse shteti shqiptar ka interes të posaçëm shtetëror për krijimin e një lidhjeje të qëndrueshme me personin e huaj, për shkak të cilësive, aftësive dhe rrethanave specifike të dobishme të individit ose veprimtarisë së tij private ose publike”.

“Ndryshimet lehtësojnë, qartësojnë disa problematika gjatë aplikimit të ligjit për shtetësinë. Të marrin pasaportën shqiptare, do të kenë mundësinë të luajnë për kombëtaren e Shqipërisë. Nëse nuk do të bënim ndryshimet në ligj, Mirlind Daku nuk do të mund të luante dot për Kombëtaren e Shqipërisë, është një rast që e kam ndjekur personalisht. Sot jemi në kushtet që Mirlind Daku nuk i takon dot prindërit e tij, sepse ai shteti ku luan (Rusi), nuk ia pranon pasaportën e Kosovës dhe i duhet prindi i fëmijut të ketë pasaportën e Shqipërisë. Opozita, përmes Tritan Shehut, i kundërshtoi propozimet me argumentin se minimizohet roli i presidentit dhe fuqizohet roli i ministrit”, tha ndër të tjera Balla.

“Bie ndesh me vlerat dhe interesat e këtij vendi, kërkon të zëvendësojë shqiptarët me të huajt”, kundërshtoi Shehu.

Ndryshimet e propozuara nga Taulant Balla përfshijnë edhe ngritjen e një agjencie shtetërore të posaçme në varësi të ministrit përgjegjës për punët e brendshme, e cila do të vlerësojë aplikimet për natyralizim për interes shtetëror.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds