Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka reaguar me një deklaratë pas akuzave publike të Elisa Spiropalit, e cila mbrëmjen e së enjtes pretendoi se ai ishte emëruar në detyrë nga Belinda Balluku dhe se po ushtronte presion ndaj bizneseve të familjes së saj.

Binaj thekson se vendosi të kthehej në Shqipëri pas disa vitesh punë në SHBA, ku ishte angazhuar në fushën e auditimit financiar, për t’i shërbyer vendit. Ai mohon të ketë pasur kontakte personale me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, përveç takimeve publike që lidhen me funksionin e tij.

“Që nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës”, shkruan Binaj.

Kreu i Tatimeve pretendon se administrata që drejton është përballur me presion të paligjshëm nga deputetja Elisa Spiropali dhe bashkëshorti i saj, në lidhje me kontrollet e ushtruara ndaj bizneseve të tyre familjare. Sipas tij, sulmi publik i mbrëmjes së kaluar nuk është hera e parë që përballet me një situatë të tillë.

Binaj sqaron se kontrollet në sektorin e ndërtimit janë kryer në kuadër të planeve strategjike dhe operacionale të Administratës Tatimore, me qëllim mbledhjen e të ardhurave dhe luftën kundër evazionit fiskal. Mes subjekteve të kontrolluara, sipas tij, kanë qenë edhe biznese të lidhura me familjen e Spiropalit.

“Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese”, deklaron Binaj.

Ai shton se kontrollet kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor në përmasa të mëdha. Për këtë arsye, dosjet po referohen pranë organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme, duke theksuar se procedurat janë ndjekur njësoj si për çdo tatimpagues tjetër të dyshuar për shkelje.

Në përfundim, drejtori i Tatimeve i kërkon Spiropalit të mos e përmendë më emrin e tij, duke theksuar se është një nëpunës shteti që nuk merret me politikë dhe nuk pranon që dinjiteti i tij apo i familjes të cenohet për shkak të detyrës.

“Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore”, përfundon reagimin Ilir Binaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds