Qeveria pritet të ndërhyjë sërish në buxhetin e vitit 2026 përmes një akti normativ, me synim rishpërndarjen e fondeve të pashpenzuara dhe financimin e një pakete mbështetëse për pensionistët dhe kategoritë në nevojë, në prag të festave të fundvitit.
Ndryshimet pritet të miratohen në fund të nëntorit ose në ditët e para të dhjetorit, në kushtet kur financat publike kanë regjistruar suficit të lartë gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Një pjesë e fondeve të planifikuara për shpenzime nuk është realizuar sipas ritmit të parashikuar, duke krijuar hapësirë për rishpërndarjen e tyre.
Në fokus të paketës pritet të jetë bonusi i fundvitit për pensionistët, me skemën e njëjtë të aplikuar vitin e kaluar. Pensionistët me të ardhura mujore deri në 20 mijë lekë pritet të përfitojnë 15 mijë lekë, ndërsa ata me pension mbi këtë nivel, 10 mijë lekë.
Mbështetje financiare parashikohet edhe për personat me aftësi të kufizuara, invalidët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Megjithatë, vlera e përfitimit dhe kriteret për këto kategori mbeten ende për t’u përcaktuar.
Përmes aktit normativ, qeveria pritet të rishikojë shpërndarjen e fondeve mes programeve dhe institucioneve buxhetore, duke përshtatur shpenzimet me nevojat deri në fund të vitit. Ndërkohë, paralelisht me këtë ndërhyrje, vijojnë diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2027.
