Instituti i Shëndetit Publik informon se malaria vijon të mos përbëjë një sëmundje me transmetim endemik në Shqipëri.

Rastet e evidentuara ndër vite kanë qenë sporadike dhe të importuara, si rezultat i ekspozimit ndaj infeksionit në vende ku malaria është endemike.

Rasti i fundit i raportuar është trajtuar në kohë dhe në përputhje me protokollet përkatëse mjekësore, në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë Qendrës Spitalore Universitare „Nënë Tereza”.

Pas marrjes së trajtimit dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti ka dalë nga spitali dhe aktualisht paraqitet në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Situata epidemiologjike në Shqipëri

Sipas të dhënave të Sistemit Elektronik të Sëmundjeve Infektive (SISI), gjatë periudhës 2022–2026 në Shqipëri janë raportuar gjithsej 12 raste me malarie, të shpërndara si më poshtë:

Viti Numri i rasteve
2022 1
2023 5
2024 3
2025 2
2026 1
Gjithsej 12

Të gjitha rastet e raportuara gjatë kësaj periudhe janë klasifikuar si raste të importuara, me ekspozim ndaj infeksionit jashtë territorit të Shqipërisë. Gjatë pesë viteve të fundit nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit autokton të malaries në vendin tonë.

Në kuadër të vlerësimit të situatës, një ekip multidisiplinar i Institutit të Shëndetit Publik, me specialistë nga sektorët e Epidemiologjisë, Entomologjisë dhe Shëndetit në Punë, po kryen vlerësimin përkatës epidemiologjik dhe entomologjik në terren.

ISHP vijon të monitorojë situatën përmes sistemit të survejancës epidemiologjike dhe bashkëpunimit me strukturat shëndetësore, me qëllim identifikimin dhe trajtimin në kohë të çdo rasti.

Instituti i Shëndetit Publik thekson se rastet e malaries të raportuara në Shqipëri janë sporadike dhe të importuara.

Nuk ka evidencë të transmetimit të malaries brenda vendit. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse të shëndetit publik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *