Zëvendësministri grek I Zhvillimit, Lazaros Tsavdaridis,njëkohësisht anëtar i partisë në fuqi Demokracia e re ka dhënë dorëheqjen mëngjesin e sotëm pas një skandali që lidhet me përfitimin e dyshuar të pikëve shtesë për pranimin në universitet të vajzës së tij. Dorëheqja u pranua menjëherë nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Sipas burimeve qeveritare, shpjegimet që dha zëvendësministri për përfshirjen e vajzës së tij në këtë çështje nuk u konsideruan të mjaftueshme.Skandali shpërtheu pas një investigimi të televizionit privat MEGA, sipas të cilit vajza 17-vjeçare e ministrit Tsavdaridis ishte regjistruar në një ekip hendbolli në Selanik, megjithëse jetonte në Athinë. Sipas ligjit në fuqi ,kur ekipi fitoi kampionatin, ky fakt u jepte sportisteve mundësinë të përfitonin pikë shtesë për pranimin në universitet.Por prindër të sportisteve të tjera dhe një trajner denoncuan se vajza e zëvendësministrit nuk merrte pjesë në stërvitje dhe nuk luante në asnjë ndeshje. Sipas trajnerit, atij i ishte kërkuar ta përfshinte në ekip, me pretendimin se babai i saj do ta ndihmonte financiarisht klubin. Tsavdaridis i ka hedhur poshtë akuzat. Ai deklaroi se vajza e tij u pranua në Fakultetin e Bujqësisë në Larisa vetëm falë rezultateve të provimeve kombëtare, pa përdorur pikët shtesë nga aktiviteti sportiv. Aktualisht ajo studion në një universitet në Qipro.Megjithatë, reporterët e televizionit MEGA publikuan dokumente të tjera, sipas të cilave vajza kishte aplikuar më pas për të përfituar bonusin prej 10% të pikëve, me synim kalimin në një degë tjetër universitare, në Rodos. Sipas televizionit, aplikimin në Ministrinë e Arsimit e kishte paraqitur vetë babai i saj.Skandali ka shkaktuar reagime të forta politike me partitë opozitare që kanë kërkuar largimin e zëvendësministrit, duke ngritur akuza për favorizim dhe mungesë meritokracie.
