Mes këngëve dhe valleve popullore, banorët e Dushkut në Lushnjë kanë festuar festën e ullirit, në një aktivitet që organizohet çdo vit në muajin nëntor që përkon me sezonin e vjeljes dhe nisjen e prodhimit të vajit. Klima e favorshme e zonës ka bërë që kultivimi i ullirit të marrë një rëndësi të veçantë për fermerët duke u kthyer në një nga aktivitetet kryesore bujqësore.
Përveç ullirit dhe vajit të prodhuar në ullishtat e tyre, fermerët kanë ekspozuar në stendat e panairit edhe produkte bujqësore e gatime tradicionale të zonës. Panairi synon të promovojë prodhimet vendase dhe të krijojë mundësi për tregtimin dhe eksportimin e vajit të ullirit.
Në aktivitet morën pjesë edhe Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës Eriselda Sefa dhe deputeti Asflorial Haxhiu.
Pavarësisht rëndësisë ekonomike që ka ulliri për familjet fermere, prodhuesit shprehen të shqetësuar për vështirësitë në tregtimin e vajit dhe çmimet e ulëta. Ata kërkojnë ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë për rregullimin e tregut dhe garantimin e një çmimi që mbulon kostot e prodhimit, pasi sipas tyre këtë sezon rrezikojnë të dalin me humbje.
