Kërcënime të reja për vendosjen e bombave kanë shkaktuar alarm në Irlandë dhe Britani, duke detyruar evakuimin e disa redaksive mediatike mëngjesin e së premtes. Policia ka kryer kontrolle të imtësishme në ndërtesat e prekura, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse bëhet fjalë për kërcënime të izoluara apo për një sulm të koordinuar. Sipas BBC-së, një gazetar i transmetuesit publik irlandez RTÉ njoftoi drejtpërdrejt në radio se redaksia kishte marrë një email ku paralajmërohej se një “pajisje ndezëse” do të shpërthente brenda 45 minutash.
Për arsye sigurie, u evakuuan përkohësisht edhe punonjësit e gazetës “Irish Independent”, si dhe zyrat e radiostacioneve “Newstalk FM” dhe “Today FM” në Dublin. Policia irlandeze, Garda, zhvilloi kontrolle të gjera në ambientet e mediave, me ndihmën e qenve të specializuar për zbulimin e eksplozivëve. Në një deklaratë, ajo bëri të ditur se ishte në dijeni të kërcënimeve të drejtuara ndaj mediave në Irlandë dhe në vende të tjera të Evropës, duke konfirmuar se ishte në kontakt me redaksitë e prekura.
Kryeministri irlandez, Michael Martin, e cilësoi situatën shqetësuese dhe theksoi se përparësia e qeverisë është garantimi i sigurisë së qytetarëve. Ai kujtoi se një ditë më parë ishte regjistruar një valë kërcënimesh të rreme me bomba, të cilat prekën 21 fluturime në të gjithë Evropën. Sipas tij, ende nuk dihet nëse këto incidente janë shkaktuar nga individë të veçantë apo janë pjesë e një sulmi të koordinuar, por autoritetet po i marrin shumë seriozisht. “Policia, forcat e armatosura, autoritetet e sigurisë kibernetike dhe ato të aviacionit po punojnë së bashku për të zbuluar se kush qëndron pas kësaj, ashtu si edhe homologët e tyre evropianë”, deklaroi Martin.
Edhe zëvendëskryeministri Simon Harris e përshkroi situatën si shumë serioze dhe në zhvillim. Ai tha se autoritetet ende nuk kanë identifikuar personat përgjegjës për kërcënimet dhe se do të bashkëpunojnë me ekspertët e sigurisë kibernetike dhe institucionet homologe në Evropë. Pas kontrolleve të policisë, nuk u identifikua asnjë pajisje e dyshimtë dhe disa prej punonjësve të mediave u lejuan të rikthehen në zyrat e tyre. Hetimet për identifikimin e autorëve të kërcënimeve vijojnë.
