Policia Rrugore në Fier ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe evidentimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë në rrugë. Monitorimi po kryhet përmes pajisjeve inteligjente dhe kontrolleve fizike ndaj drejtuesve të automjeteve.

Gjatë javës së fundit, 11 persona janë proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, tre prej të cilëve janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur.

Sipas të dhënave të policisë, janë vendosur 885 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, 25 për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 14 për parakalim të gabuar. Gjithashtu, 10 drejtues janë ndëshkuar për drejtim nën efektin e alkoolit, ndërsa 440 masa të tjera janë vendosur për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Përballë këtyre shkeljeve, Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin shpejtësinë tej normave dhe të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit. Sipas policisë, përdorimi i celularit, manovrat e rrezikshme dhe parkimet e gabuara mund të kthehen në burim aksidentesh me pasoja të rënda për jetën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds