Është ndarë nga jeta arkitekti lushnjar Kostandin Mone, një prej profesionistëve që kontribuoi në zhvillimin arkitekturor dhe urban të qytetit, duke ndikuar në ndryshimin e fizionomisë së tij.
Ndër veprat më të rëndësishme që mbajnë firmën e tij janë stadiumi i Lushnjës, sot “Abdurrahman Roza Haxhiu” të cilin e projektoi në bashkëpunim me inxhinierin Llazar Marko, kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve të LANÇ i konceptuar me një arkitekturë moderne dhe monumentale, si dhe Muzeu Historik i qytetit.
Në ambientet e këtij të fundit u zhvilluan homazhet në nderim të tij, ku familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën dhe për të nderuar kontributin e arkitektit në jetën dhe zhvillimin e Lushnjës.
Me ndarjen e tij nga jeta, Lushnja humbet një figurë të rëndësishme të arkitekturës, ndërsa veprat që la pas do të mbeten pjesë e trashëgimisë dhe kujtesës së qytetit.
