Dy aksidente rrugore janë regjistruar gjatë orëve të fundit në Lushnjë e Fier. I pari është shënuar në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, në afërsi të fshatit Gramsh, ku dy automjete, një Audi dhe një Skoda janë përplasur me njëri-tjetrin.

Nga përplasja është dëmtuar drejtuesi i automjetit Audi, i cili është transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa drejtuesi i Skodës ka marrë lëndime të lehta, por nuk ka pranuar të marrë ndihmë mjekësore në spital.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Audi ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë dhe ka goditur nga pas Skodën. Si pasojë, kjo e fundit është përplasur me barrierën ndarëse të betonit dhe ka përfunduar jashtë rrugës, ndërsa Audi ka përfunduar mbi mbetjet e betonit. Policia po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, një tjetër incident është regjistruar në aksin Fier-Ballsh, në fshatin Lalar, ku një automjet tip Ford është përfshirë nga flakët. Shërbimet zjarrfikëse të Patosit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Fatmirësisht, drejtuesi i automjetit nuk ka pësuar lëndime, pasi ka dalë në kohë sapo ka konstatuar flakët. Dyshimet paraprake janë për një defekt në sistemin elektrik, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të ngjarjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds