FBI-ja ka identifikuar Korenë e Veriut si përgjegjëse për vjedhjen e më shumë se 6 miliardë dollarëve në kriptomonedha nga platforma Binance, sulm që ndodhi më 29 tetor 2026.
Sipas autoriteteve amerikane, pas goditjes qëndron grupi i hakerëve TraderTraitor, i lidhur edhe me vjedhjen e 1.5 miliardë dollarëve nga platforma Bybit vitin e kaluar.
Sipas FBI-së, asetet e vjedhura, përfshirë Bitcoin, Ethereum dhe monedha të qëndrueshme, po konvertohen kryesisht në Ethereum, ndërsa ekziston rreziku që më pas të pastrohen përmes platformave të financave të decentralizuara dhe shërbimeve të tjera të shkëmbimit.
Agjencia amerikane u ka bërë thirrje bursave të kriptomonedhave dhe kompanive të analizës së blockchain-it të identifikojnë dhe bllokojnë transaksionet e lidhura me adresat e dyshuara.
Ndërkohë, Binance deklaroi se do të mbulojë plotësisht humbjet financiare nga sulmi. Kompania bëri të ditur se kishte përdorur mbi 6.34 miliardë dollarë nga fondet e saj për të rikuperuar rreth 90% të aseteve të vjedhura, ndërsa pjesa e mbetur kërkon më shumë kohë për t’u riblerë.
Sulmi, i konsideruar si vjedhja më e madhe e monedhave dixhitale deri më tani, shkaktoi gjithashtu rënie të çmimeve të disa prej kriptomonedhave kryesore në treg.
