Një blerje e madhe, një investim për shtëpinë apo edhe ndërrimi i makinës janë vendime që familjet shqiptare duket se po i peshojnë gjithnjë e më shumë.
Pavarësisht një përmirësimi të lehtë të besimit te ekonomia, qytetarët edhe për muajt e fundit të vitit vijojnë të tregohen të kujdesshëm me shpenzimet ndërsa edhe bizneset nuk kanë të njëjtin optimizëm për muajt në vijim.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për muajin tetor tregon se besimi konsumator u rrit me 1.1%. Përmirësim kanë shënuar edhe pritjet për financat familjare dhe situatën e përgjithshme ekonomike.
Por kur qytetarët pyeten për blerjet e mëdha, treguesi mbetet në nivele negative. Edhe pse më mirë se një muaj më parë, familjet ende hezitojnë të kryejnë shpenzime të konsiderueshme.
Në sektorin e biznesit panorama e besimit në ekonomi na shfaqet e ndarë. Ndërtimi pësoi rënien më të fortë të besimit me 5.7% i ndjekur nga tregtia me 3.5% ku janë dobësuar vlerësimet për shitjet dhe pritjet për punësimin.
Në të kundërt industria dhe shërbimet shënuan përmirësim përkatësisht me 2.5 dhe 3.2%. Niveli i porosive të përgjithshme në industri është vlerësuar me përmirësim të lehtë, ndërkohë që porositë nga eksportet janë vlerësuar me rënie.
Ndërsa në sektorin e shërbimeve bizneset shprehen optimiste për nivelin e kërkesës dhe për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre.
Në total treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 0.4% dhe qëndron mbi mesataren historike por ky përmirësim nuk reflektohet njësoj te konsumatorët dhe të gjithë sektorët e ekonomisë.
BESIMI TEK KONSUMATORËT
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Gusht 0.8%
Shtator 2.3%
Tetor 1.1%
SEKTORËT ME RËNIE TË BESIMIT
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Ndërtimi -5.7%
Tregtia -3.5%
TREGUESI I NDJESISË EKONOMIKE
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Janar 110.24
Shkurt 107.43
Mars 107.9
Prill 106.22
Maj 107.16
Qershor 106.37
Korrik 105.35
Gusht 107.51
Shtator 107.80
Tetor 108.34
