Presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, kanë pritur të enjten fëmijë të veshur me kostume Halloween-i në Shtëpinë e Bardhë, në një festë të shoqëruar me ëmbëlsira, fotografi dhe autografe.
Të vegjlit u paraqitën me kostume nga më të ndryshmet, duke imituar oficerë policie, ushtarë, pilotë garash dhe personazhe të ndryshëm. Trump dhe Melania shpërndanë ëmbëlsira, ndërsa pozuan për fotografi me fëmijët dhe familjet e tyre.
Presidenti amerikan u tregua i gatshëm edhe për të dhënë autografe, duke firmosur mes të tjerash kostumet e dy fëmijëve të veshur si pilotë garash. Një prej veshjeve që tërhoqi vëmendjen ishte ajo e një foshnjeje të maskuar si fletë votimi.
Momenti më i veçantë i festës ishte kalimi i avionit presidencial Air Force One mbi Shtëpinë e Bardhë. Zhurma e avionit bëri që Trump dhe Melania të ngrinin kokën për ta ndjekur, ndërsa në sfond dukej edhe Monumenti i Uashingtonit.
Në festime morën pjesë edhe disa prej figurave të larta të administratës Trump, mes tyre Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Stephen Miller dhe Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, të shoqëruar nga familjet e tyre.
Festimi i Halloween-it në Shtëpinë e Bardhë është kthyer në një traditë, duke u dhënë mundësi fëmijëve dhe familjeve të ftuara të takojnë presidentin dhe Zonjën e Parë, si dhe të marrin pjesë në zakonin amerikan të shpërndarjes së ëmbëlsirave “trick-or-treat”. Eventi i këtij viti u zhvillua dy ditë përpara Halloween-it, që festohet më 31 tetor.
