Shkolla “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa” vjen me një projekt të ri në ekranin e RTV 4Plus. “Flasin Nënshkruesit” nën drejtimin e Deas dhe Elisës është podcasti që do të sjellë në qendër nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle, duke u dhënë hapësirë të shprehin mendimet e tyre, të ndajnë përvojat dhe të diskutojnë për çështje që lidhen me shkollën dhe jetën e përditshme.

Meqenëse podcasti nis në muajin e letërsisë, e ftuara e parë është Arjola Çrraga mësuese e letërsisë në këtë shkollë. Ajo u ka uruar nxënësve suksese në këtë projekt, i cili u jep mundësinë të shprehin veten, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të zbulojnë anë të reja të personalitetit të tyre përmes komunikimit.

Përtej temave mësimore, “Flasin nënshkruesit” synon të përcjellë edhe një mesazh për rëndësinë e marrëdhënies mes nxënësve dhe mësuesve. Shkolla nuk është vetëm vendi ku merret dije, por edhe hapësira ku ndërtohen karakteri, besimi dhe vlerat njerëzore. Dialogu i hapur, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë ndihmojnë në krijimin e një mjedisi ku nxënësit ndihen të dëgjuar dhe të mbështetur, ndërsa mësuesit bëhen pjesë e rëndësishme e formimit të tyre. Podcasti “Flasin nënshkruesit” do të transmetohet për herë të parë nesër, në orën 16:00, në RTV 4Plus. Takimet me nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa” do të vijojnë dy herë në muaj, ditën e enjte duke sjellë në çdo episod tema të reja interesante.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds