Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka njoftuar se demokratët do t’i bashkohen marshimit drejt Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të protestës së studentëve.

Në një deklaratë për mediat, Këlliçi tha se PD-ja ka marrë masa për të mobilizuar strukturat e saj pas njoftimit për protestën kombëtare të studentëve.

Ai theksoi se deputetët demokratë kanë qenë pranë studentëve gjatë 12 ditëve të protestës, duke i mbështetur në komisariate, gjykata dhe spitale.

“Ne jemi parti e studentëve dhe e tillë do të jemi deri në ditën e fundit që kjo parti do të ekzistojë”, deklaroi Këlliçi.

Sipas tij, protesta para Ministrisë së Arsimit, e paralajmëruar për orën 14:00, pritet të jetë momenti kulmor i ditës.

Këlliçi mohoi se Partia Demokratike po kërkon të marrë autorësinë e protestës, ndërsa u shpreh se strukturat rinore të kësaj partie kanë qenë pjesë e lëvizjes që nga dita e parë.

Ai e lidhi suksesin e protestës me largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Belind Këlliçi : Është një protestë e rritur në 48 orët e fundit në momentin e parë që ne morëm vesh dhe u njoftuam zyrtarisht që studentët do të rrisin një protestë kombëtare ditën e sotme. Menjëherë kemi marrë masat për të rritur strukturat e Partisë Demokratike në përgjigje dhe në mbështetje të kësaj proteste. Lajmi i mirë është që të gjithë ata demokratë që kanë dalë, prindër, qytetarë që kanë dalë në mbështetje të studentëve, është një lajm i mirë që ka kaq shumë të rritur që kanë dalë për të mbrojtur të miturit nga dhuna shtazarake dhe kafshërore e ushtruar nga forcat e rendit dhe nga Edi Rama në 11 ditët e fundit se tashmë kemi hyrë në ditën e 12. Kështu që thënë këtë, pak minuta më vonë rreth orës 13:45 ne të gjithë do të nisemi në marshim drejt Ministrisë së Arsimit për të mbrojtur studentët dhe për t’i qëndruar në mbështetje studentëve.

As nuk kemi kërkuar autorësi, as nuk kemi kërkuar protagonizëm dhe as nuk kemi kërkuar të dalim në rresht të parë dhe për të marrë apo për të akaparuar protestën e studentëve. Përkundrazi, e keni parë dhe ju, keni qenë dëshmitarë në çdo raportim, çdo ditë në terren, që deputetët e Partisë Demokratike kanë bërë punën e tyre të heshtur, kanë qenë bashkë me avokatët e Partisë Demokratike në gjykata, në komisariate, në spitale dhe i kanë ardhur vetëm në ndihmë studentëve. Ne jemi parti e studentëve dhe e tillë do të jemi deri në ditën e fundit që kjo parti do të ekzistojë. Kemi lindur si parti e lëvizjes së studentëve Dhjetori ’90 dhe e tillë do të jemi deri në ditën e fundit që do të kemi organizim dhe do të kemi një mision tonin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds