Shqipëria po përgatitet të marrë pjesë në Konferencën e 31-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), që do të zhvillohet në Antalia të Turqisë, më 9–20 nëntor 2026, me një pavijon të dedikuar për promovimin e angazhimeve dhe nismave për përballimin e sfidave klimatike.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, në një mesazh me rastin e Ditës Botërore të Veprimit për Klimën, bëri të ditur se në delegacionin shqiptar do të jenë edhe të rinjtë, për të tretin vit radhazi.

“Pjesë e delegacionit shqiptar do të jenë edhe të rinjtë, të cilët na përfaqësojnë denjësisht, janë pjesë e tryezave me organizata të ndryshme ndërkombëtare, ku shprehin vizionin e tyre për një të ardhme sa më të shëndetshme, sa më të sigurt dhe sa më të mirë”, u shpreh Jaupaj.

Sipas ministrit, pavijoni shqiptar do të mbledhë përfaqësues të ministrive të linjës, bizneseve, bankave dhe të rinjve, të cilët do të angazhohen në panele të nivelit të lartë.

Jaupaj theksoi se synimi është që angazhimet e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e mjedisit të përkthehen në rezultate konkrete.

“Nëpërmjet politikave, projekteve që ndërmarrim, synojmë të mbrojmë jo vetëm mjedisin, ujërat dhe komunitetet shqiptare, por t’i përgatisim ato për sfidat që sjellin ndryshimet klimatike”, deklaroi ai.

Ministri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetit dhe ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds